Nga heqja e kontejnerëve te një “revolucion”
Bashkia Lezhë e ka prezantuar skemën e re të menaxhimit të mbetjeve si një hap drejt grumbullimit të diferencuar, riciklimit dhe ekonomisë qarkulluese. Për banorët dhe bizneset, ndryshimi është…

Çfarë ka ndryshuar në sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Lezhë dhe çfarë mbetet e paverifikuar
Bashkia Lezhë e ka prezantuar skemën e re të menaxhimit të mbetjeve si një hap drejt grumbullimit të diferencuar, riciklimit dhe ekonomisë qarkulluese. Për banorët dhe bizneset, ndryshimi është tashmë i prekshëm, kontejnerët janë hequr nga pjesë të territorit, mbetjet duhet të mbahen brenda banesave ose subjekteve deri në orarin e caktuar dhe mosrespektimi i rregullave mund të sjellë gjoba.
Skema e publikuar nga Bashkia Lezhë nuk parashikon një orar të vetëm për të gjithë territorin, por orare të ndryshme sipas zonës, sezonit dhe kategorisë së përdoruesit. Për familjarët në qytetin e Lezhës, mbetjet parashikohet të nxirren të Hënën, të Mërkurën dhe të Shtunën, nga ora 20:00 deri në 22:00. Në Shëngjin, orari ndryshon sipas sezonit turistik; ndërsa për Ishull-Lezhën, Ishull-Shëngjinin dhe njësitë administrative Shënkoll, Zejmen, Kolsh, Balldren, Blinisht, Kallmet dhe Dajç janë përcaktuar fasha të tjera orare. Për bizneset, skema parashikon rregulla dhe orare të veçanta, përfshirë shërbim të përditshëm në qytetin e Lezhës dhe në Shëngjin.
Megjithatë, në grafik nuk figuron Njësia Administrative Ungrej, megjithëse ajo është një nga njësitë administrative të Bashkisë Lezhë.

*Imazhi nga faqja informuese e Bashkisë Lezhë, për Planin e ri të menaxhimit të mbetjeve.
Kjo mungesë nuk është e re: Plani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2021–2025 e identifikonte Ungrejin si zonë të pambuluar me shërbim, për shkak të terrenit dhe aksesit rrugor, ndërsa shtrirjen e shërbimit në këtë njësi e cilësonte si domosdoshmëri. Sipas verifikimeve të H.A.N.A-s, Ungrej vijon të mos ketë shërbim të rregullt të grumbullimit të mbetjeve, çka tregon se mbulimi i plotë i territorit të Bashkisë Lezhë ende nuk është arritur.
Udhëzimet e bashkisë tregojnë qartë se çfarë kërkohet nga banorët dhe bizneset - të ndryshojnë kohën, vendin dhe mënyrën se si i dorëzojnë mbetjet. Por dokumentet nuk tregojnë se çfarë ndodh më pas. Nuk shpjegohet se ku transportohen plastika, qelqi dhe kartoni pasi i merr kamioni; nëse vazhdojnë të mbahen të ndara; çfarë trajtimi u bëhet apo sa kanë përfunduar në landfill. Pikërisht kjo pjesë e zinxhirit, ajo që ndodh pasi qeset largohen nga rruga, është pyetja qendrore e këtij artikulli.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të 30 Qershorit, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deklaroi se disa biznese ishin gjobitur tashmë për mosrespektimin e rregullave të reja, ndërsa banorët individualë jo. Në të njëjtën mbledhje, ai tha se qeset e posaçme për ndarjen e mbetjeve do të përdoreshin në një fazë të dytë.
Kjo përmbledh tensionin kryesor të skemës, detyrimet dhe sanksionet për publikun janë tashmë në fuqi, ndërsa një pjesë e infrastrukturës dhe e dokumentacionit që duhet të tregojë se si vazhdon ndarja pas grumbullimit ende përshkruhet si fazë e ardhshme ose nuk është bërë publike. Ky artikull nuk synon të provojë se skema nuk funksionon. Ai shqyrton se çfarë ka ndryshuar realisht, çfarë është ende në ndërtim ose e premtuar dhe çfarë mund të verifikohet sot për destinacionin dhe trajtimin e secilës rrymë mbetjesh.
Çfarë ka ndryshuar
Bazuar në dokumentet e shqyrtuara dhe deklaratat publike të bashkisë, Lezha ka ndërmarrë një ndryshim të konsiderueshëm të mënyrës së grumbullimit të mbetjeve urbane. Deri tani:
- kontejnerët e përbashkët janë hequr nga pjesë të territorit dhe janë zëvendësuar me dorëzimin e mbetjeve me qese, sipas orareve të përcaktuara;
- janë vendosur rregulla të ndryshme për mbetjet e përziera, materialet e riciklueshme dhe mbetjet voluminoze;
- shërbimi i grumbullimit të mbetjeve urbane është kaluar nga operatorët privatë te një ndërmarrje bashkiake, sipas deklaratave të kryetarit të bashkisë; për mbetjet inerte, megjithatë, dokumentet e prokurimit tregojnë një procedurë të veçantë që parashikon angazhimin e një operatori privat;
- bashkia deklaron se ka blerë 12 automjete të reja “ekologjike”; dokumentet e prokurimit dhe të Thesarit dokumentojnë kontraktimin dhe pagesën e 10 kamionëve të rinj të mbetjeve, ndërsa një procedurë tjetër përfshin dy automjete teknologjike për heqjen e mbetjeve. Mbeten për t’u verifikuar dorëzimi dhe vënia në përdorim e të gjitha mjeteve, si dhe baza mbi të cilën të 12 automjetet janë cilësuar të reja dhe “ekologjike”;
- janë njoftuar kamera dhe raportimi online si mjete kontrolli, ndërsa kryetari i bashkisë deklaroi më 30 Qershor se disa biznese ishin gjobitur;
- më 5 Shkurt 2026 nisi një fushatë ndërgjegjësimi, të cilën kryetari e përshkroi si një “revolucion”.

Por komunikimi i bashkisë nuk është kufizuar vetëm te ndryshimi i mënyrës së grumbullimit. Në lançimin e Shkurtit, pyetësorin online të Marsit, intervistën e Qershorit të kryetarit të bashkisë për Klan TV dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 30 Qershor, skema është lidhur vazhdimisht me grumbullimin e diferencuar, riciklimin, uljen e sasisë së dërguar në landfill dhe ekonominë qarkulluese.
Deklaratat publike të bashkisë përfshijnë tre faza të ndryshme, të cilat shpesh janë paraqitur si pjesë e të njëjtit rrëfim.
Tashmë të prezantuara ose të zbatuara; oraret e dorëzimit me qese, heqja e kontejnerëve nga pjesë të territorit, kalimi i grumbullimit të mbetjeve urbane te ndërmarrja bashkiake, kamerat, gjobat dhe fushata informuese.
Në proces ose pa përfundim të dokumentuar; 10 kamionë të rinj të mbetjeve, për të cilët të dhënat e Thesarit dokumentojnë kontratën dhe pagesën në vlerën e plotë të ofertës me TVSH, ndërsa dokumentet e dorëzimit, marrjes në dorëzim, regjistrimit dhe vënies në përdorim nuk janë verifikuar ende drejtpërdrejt; procedura e saposhpallur për blerjen e koshave të mbeturinave; projekti kapital prej 49 milionë e 976 mijë lekësh, i parashikuar në PBA 2026–2028 për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale për Rikuperimin e Mbetjeve të Riciklueshme, por pa status zbatimi të verifikuar; pika e grumbullimit tranzitor në Barbullojë; pajisjet e mbështetura nga GIZ-i; infrastruktura e trajtimit dhe plani i ri vendor, i deklaruar si i dorëzuar dhe në fazë përfundimtare, por pa miratim formal të verifikuar.
Të premtuara ose të parashikuara; numri i përgjithshëm prej 12 automjetesh të reja “ekologjike”, për sa kohë nuk është dokumentuar lidhja ndërmjet procedurave të ndryshme dhe dorëzimit të mjeteve; qeset e posaçme për ndarjen e mbetjeve; shitja e materialeve të riciklueshme; krijimi i të ardhurave për bashkinë; ulja me rreth 25–30% e sasisë së dërguar në landfill dhe funksionimi i një sistemi të ekonomisë qarkulluese.
Të tre fazat mund të jenë pjesë e një projekti afatgjatë, por nuk provojnë të njëjtën gjë. Blerja e një automjeti është një veprim i përfunduar; ndërtimi i një objekti është ende proces; ndërsa ulja e landfillit dhe të ardhurat nga materialet janë objektiva që duhet të maten pasi sistemi të vihet plotësisht në funksion.
Çfarë tregojnë prokurimet publike

Në procedurën “Blerje Mjete Teknologjike”, Bashkia Lezhë prokuroi 10 kamionë të rinj, me zero kilometra, për grumbullimin e mbetjeve: dy kamionë me kapacitet 5.8 m³, dy kamionë vaskë me kapacitet 6.5 m³ dhe gjashtë kamionë me kapacitet 12 m³. Fitues u shpall TIMAK sh.p.k., me ofertë 40,934,980 lekë pa TVSH.

Megjithëse portali Open Procurement vazhdon ta paraqesë procedurën vetëm me statusin “Njoftuar Fituesi”, të dhënat e Thesarit dokumentojnë kontratën nr. 18557/14, datë 12 janar 2026, si dhe një pagesë prej 49,121,976 lekësh, e barabartë me vlerën e plotë të ofertës me TVSH, mbështetur në një përmbledhje faturash të datës 18 maj 2026. Këto të dhëna provojnë lidhjen e kontratës dhe pagesën e saj. Dokumentet e dorëzimit dhe marrjes formale në dorëzim, regjistrimi i mjeteve dhe vënia në përdorim e të dhjetë kamionëve nuk janë verifikuar ende drejtpërdrejt nga H.A.N.A.

Një procedurë tjetër, e kontraktuar më 3 qershor 2026 me operatorin ANDI HAMO, parashikon edhe dy automjete teknologjike për heqjen e mbetjeve. Kjo mund të shpjegojë deklaratën publike për 12 automjete. Megjithatë, specifikimet e kësaj procedure lejonin mjete të prodhuara që nga viti 2014 dhe me deri në 300 mijë kilometra, ndaj këto dy automjete nuk mund të përshkruhen automatikisht si të reja. Për të verifikuar plotësisht deklaratën për “12 automjete të reja ekologjike”, nevojiten dokumentet e dorëzimit, karakteristikat e mjeteve të furnizuara dhe regjistrimi i tyre në pronësi të bashkisë.
Dokumentet e tenderit i përshkruajnë kamionët si mjete të reja, me zero kilometra, dhe përcaktojnë kapacitetin, sistemet e ngarkimit, ngjeshjes dhe shkarkimit. Megjithatë, në dokumentet e shqyrtuara H.A.N.A. nuk identifikoi një standard të përcaktuar për emetimet, llojin e karburantit apo një kriter tjetër mjedisor që do ta bënte të verifikueshëm cilësimin publik të mjeteve si “ekologjike”.

Më 14 korrik 2026, Bashkia Lezhë shpalli gjithashtu procedurën “Blerje Kosha Mbeturinash”, me numër reference REF-93263-07-13-2026, fond limit 3,329,940 lekë dhe afat për dorëzimin e ofertave deri më 24 Korrik. Në momentin e verifikimit (21 Korrik 2026), procedura ishte ende e hapur dhe nuk kishte operator fitues apo kontratë. Të dhënat përmbledhëse nuk tregojnë numrin, kapacitetin, vendosjen apo përdorimin e parashikuar të koshave. Për rrjedhojë, procedura nuk provon ende se është siguruar infrastruktura për ndarjen në burim, por tregon se një pjesë e pajisjeve ishte ende në fazën e prokurimit pas nisjes së skemës.
Dokumentet e prokurimit tregojnë gjithashtu se menaxhimi i rrymave të ndryshme të mbetjeve nuk ndjek domosdoshmërisht të njëjtin model institucional. Për procedurën “Evadimi i Mbetjeve Inerte për nevoja të Bashkisë Lezhë”, me numër reference REF-67967-11-06-2025 dhe fond limit 16,998,660 lekë, u paraqit një ofertë e vetme. Si fitues u njoftua V.A.L.E. Recycling sh.p.k., me DION-AL sh.p.k. si subjekt mbështetës, me ofertë 16,896,600 lekë pa TVSH. Marrëveshja kuadër parashikon një kohëzgjatje 12-mujore nga data e nënshkrimit.
Kjo procedurë ka të bëjë me transportin dhe evadimin e mbetjeve inerte. Ajo nuk dokumenton destinacionin apo trajtimin e plastikës, qelqit dhe kartonit të mbledhur në skemën e re, por tregon se, për këtë rrymë të veçantë, bashkia ka parashikuar angazhimin e një operatori privat. Për këtë arsye, deklarata se shërbimi është kaluar te ndërmarrja bashkiake duhet të kuptohet si referencë ndaj grumbullimit të mbetjeve urbane dhe jo domosdoshmërisht ndaj të gjitha kategorive të mbetjeve.
Çfarë tregoi pilotimi i vitit 2021

H.A.N.A hartoi dhe zbatoi në vitin 2021 komponentin komunitar të një pilotimi për ndarjen e mbetjeve në burim, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, banorët dhe operatorin Vale Recycling. Pilotimi përfshiu 31 familje në dy pallate banimi dhe u përqendrua te plastika, qelqi dhe letra ose kartoni.
Nisma synonte të testonte, në një zonë të kufizuar, edhe një argument të shprehur në atë kohë nga përfaqësues bashkiakë gjatë komunikimeve joformale, se banorët nuk ishin të gatshëm ta përqafonin ndarjen në burim dhe se modeli rrezikonte të dështonte për shkak të “mentalitetit” të komunitetit.
Të dhënat e projektit treguan një tablo më të ndërlikuar. Në muajin e parë, rreth 60% e familjeve pjesëmarrëse e zbatuan ndarjen, ndërsa në zbrazjen e parë të kontejnerëve afërsisht 75% e materialit rezultoi i ndarë saktë. Në një anketim me 91 banorë të kontaktuar në zonë, 90.1% u shprehën në favor të shtrirjes së modelit në Lezhë. Këto janë gjetje të një pilotimi të vogël dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjithë bashkinë, por tregojnë se rezistenca e qytetarëve nuk ishte pengesa e vetme.
Vështirësia më serioze u shfaq pas ndarjes së mbetjeve. Gjatë dy muajve e gjysmë të parë nuk u angazhua asnjë operator grumbullimi, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar. Për këtë arsye, stafi i H.A.N.A-s, me udhëzim të bashkisë dhe për të ruajtur integritetin e zbatimit të pilotimit, i transportoi mbetjet e ndara me automjete personale drejt një magazine bashkiake, deri në përfshirjen e Vale Recycling pas një peticioni të banorëve që H.A.N.A inicioi.
Pilotimi nuk paracakton rezultatin e skemës së vitit 2026. Ai tregon, megjithatë, se gatishmëria e qytetarëve nuk mjafton nëse nuk sigurohen grumbullimi i rregullt, koordinimi institucional dhe vazhdimësia e rrymave pas dorëzimit. Në skemën e sotme, grumbullimi është dukshëm në funksion; ajo që mbetet më pak e dokumentuar publikisht është rruga që ndjek secila rrymë më pas: transporti, destinacioni dhe trajtimi.
Çfarë kërkon ligji
Ligji nr. 57/2025 dallon mes grumbullimit të diferencuar, riciklimit dhe ekonomisë qarkulluese. Këto nuk janë e njëjta gjë. Grumbullimi i diferencuar nënkupton që mbetjet mblidhen dhe vazhdojnë të mbahen të ndara sipas llojit. Nxjerrja e plastikës, qelqit dhe kartonit në ditë të caktuara është vetëm hapi i parë; ndarja duhet të ruhet edhe gjatë transportit dhe trajtimit.
Riciklimi ndodh vetëm kur materialet ripërpunohen. Mbledhja, transporti, magazinimi dhe përzgjedhja mund t’i përgatisin mbetjet për riciklim, por nuk janë vetë riciklim.
Ekonomia qarkulluese është një sistem më i gjerë, ku materialet ripërdoren, riciklohen ose rikuperohen dhe sasia e dërguar në landfill reduktohet. Ajo provohet me të dhëna të matshme, jo vetëm me përdorimin e termit.
Ligji kërkon gjithashtu një plan vendor të miratuar për menaxhimin e mbetjeve. Plani i Lezhës për periudhën 2021–2025 u miratua me VKB nr. 46, datë 17 Mars 2021. I pyetur për planin e ri, eksperti Elvis Ndreka tha se dokumenti i ishte dorëzuar bashkisë dhe ishte në fazën përfundimtare, por H.A.N.A. nuk ka identifikuar ende një miratim teknik nga AKEM-i ose një vendim të Këshillit Bashkiak.
Çfarë ndodh pas grumbullimit
Bashkia nuk ka nevojë të zotërojë një impiant riciklimi. Ajo mund t’ua dorëzojë materialet operatorëve të licencuar, por rruga e tyre duhet të jetë e dokumentuar, ku transportohen, kush i merr, çfarë trajtimi u bëhet dhe çfarë sasie riciklohet ose përfundon në landfill.
Pika në Barbullojë përshkruhet nga z. Ndreka si një “pikë transferimi dhe rikuperimi” ende në zhvillim, me investime nga Bashkia Lezhë dhe GIZ-i.
Sipas tij, grumbullimi dhe transporti i diferencuar kanë nisur, ndërsa përdorimi dhe valorizimi i materialeve pritet pasi të përfundojë infrastruktura.

*Imazh nga PBA Bashkia Lezhë 2026 - 2028
Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028 i Bashkisë Lezhë përfshin si projekt kapital “Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale për Rikuperimin e Mbetjeve të Riciklueshme”, me vlerë 49 milionë e 976 mijë lekë, të planifikuara tërësisht për vitin 2026 dhe me financim nga buxheti i bashkisë. Kjo shumë është afërsisht 500 mijë euro dhe mund të shpjegojë shifrën e përdorur publikisht për investimin. Megjithatë, përfshirja e projektit në PBA dokumenton planifikimin buxhetor, jo domosdoshmërisht kontraktimin, shpenzimin e fondit, përfundimin e ndërtimit apo vënien në funksion të qendrës. Tabela nuk përcakton as vendndodhjen e projektit; ndaj, pa dokumentacion shtesë, nuk mund të konfirmohet se kjo qendër është e njëjta strukturë që bashkia dhe eksperti i referohen si pika e transferimit dhe rikuperimi në Barbullojë.
Derisa të publikohen leja mjedisore, funksioni i autorizuar dhe destinacioni i materialeve, Barbulloja nuk mund të përshkruhet si impiant riciklimi, por si një pikë kalimtare ende në zhvillim.
Rrymat e deklaruara dhe dokumentacioni i disponueshëm
Dokumentet e shpërndara nga Bashkia Lezhë parashikojnë rregulla të ndryshme për banorët dhe bizneset.
Mbetjet e përziera: Sipas njoftimit për banorët e pallateve, ato duhet të nxirren të Hënën, të Mërkurën dhe të Shtunën, nga ora 20:00 deri në 22:00. Formulari i vetëdeklarimit për bizneset parashikon depozitimin e tyre çdo ditë, në të njëjtin orar.
Plastika, qelqi dhe kartoni: Për banorët, njoftimi parashikon nxjerrjen e tyre të Premten, nga ora 21:00 deri në 22:00. Për bizneset, formulari përcakton të Mërkurën dhe të Premten, në të njëjtin orar. Njoftimi për banorët i quan këto materiale “mbetje të riciklueshme”, ndërsa formulari për bizneset përdor termin “mbetje të ricikluara”, ndonëse në këtë fazë ato ende nuk janë ricikluar.
Mbetjet voluminoze: Për mobiliet, pajisjet elektroshtëpiake dhe hidrosanitare, të dy dokumentet udhëzojnë qytetarët dhe bizneset të kontaktojnë numrin 0800 0009. Nuk jepet një kalendar i veçantë për marrjen e tyre.
Dokumentet sqarojnë se kur qytetarët dhe bizneset duhet t’i dorëzojnë mbetjet, por jo se ku transportohet secila rrymë pas marrjes, cili operator e merr në dorëzim, çfarë trajtimi i bëhet dhe çfarë sasish janë grumbulluar, rikuperuar apo ricikluar.
Mungesa e këtyre të dhënave në burimet e shqyrtuara nuk provon se destinacioni ose trajtimi nuk ekziston por se H.A.N.A nuk ka mundur ende t’i verifikojë publikisht.
Kamerat me audio - çështje më vete

Përdorimi i kamerave dhe i gjobave ngre një çështje tjetër llogaridhënieje, të veçantë nga trajtimi i mbetjeve. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të 30 qershorit, këshilltarja e Partisë Demokratike, Donika Ndoj, ngriti shqetësime për privatësinë dhe regjistrimin audio.
Kryetari i bashkisë u përgjigj se sistemi përbëhej nga 50 kamera, të gjitha me mundësi regjistrimi të zërit, dhe se ato shërbenin për parandalimin e shkeljeve.
Sipas Ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe udhëzimit të Komisionerit për videovëzhgimin, imazhet e identifikueshme dhe zëri i regjistruar janë të dhëna personale. Bashkia duhet të sqarojë bazën ligjore dhe qëllimin e sistemit, vendndodhjen e kamerave, nevojën për regjistrim audio, afatin e ruajtjes së pamjeve, personat që kanë akses dhe mënyrën se si qytetarët njoftohen për zonat e monitoruara.
Ky artikull nuk arrin në përfundimin se sistemi është i ligjshëm ose i paligjshëm. Ai kërkon dokumentet që tregojnë se si është autorizuar dhe si administrohet.
Çfarë mbetet për t’u dokumentuar
Disa prej shifrave dhe rezultateve të paraqitura publikisht nga bashkia mbeten ende deklarata që kërkojnë mbështetje dokumentare:
- dorëzimi, marrja formale në dorëzim, regjistrimi dhe vënia në përdorim e 10 kamionëve të kontraktuar me TIMAK
- lloji, viti i prodhimit, kilometrat, dorëzimi dhe përdorimi konkret i dy automjeteve teknologjike të parashikuara në procedurën e kontraktuar me Andi Hamo;
- baza teknike dhe mjedisore mbi të cilën të 12 automjetet janë përshkruar publikisht si të reja dhe “ekologjike”;
- zbatimi i projektit kapital prej 49 milionë e 976 mijë lekësh, të planifikuar në PBA 2026–2028 për “Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale për Rikuperimin e Mbetjeve të Riciklueshme”, përfshirë procedurën e prokurimit, kontratën, shpenzimet e kryera, statusin e punimeve dhe lidhjen e mundshme të projektit me pikën në Barbullojë;
- përmbajtja dhe vlera e marrëveshjes me GIZ-in;
- baza e parashikimit për uljen me 25–30% të mbetjeve që përfundojnë në landfill;
- rezultatet dhe përfaqësueshmëria e pyetësorit të muajit mars;
- shtrirja reale e fushatës derë më derë.
Për verifikimin e plotë të skemës nevojiten kryesisht:
- plani i ri vendor, miratimi teknik i AKEM-it dhe vendimi i Këshillit Bashkiak, së bashku me aktin që përcakton rregullat e grumbullimit dhe gjobat;
- dosjet e plota të kontraktimit dhe zbatimit për automjetet, përfshirë kontratat, faturat, procesverbalet e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim, dokumentet e regjistrimit në pronësi të bashkisë dhe evidencën e vënies së tyre në përdorim;
- marrëveshja me GIZ-in; dokumentacioni teknik, buxhetor dhe kontraktor për Qendrën Multifunksionale për Rikuperimin e Mbetjeve të Riciklueshme; vendndodhja dhe statusi i zbatimit të projektit; si dhe leja mjedisore dhe funksioni i autorizuar i pikës në Barbullojë;
- operatorët që marrin në dorëzim secilën rrymë mbetjesh dhe sasitë mujore të grumbulluara, të trajtuara, të ricikluara ose të dërguara në landfill;
- akti që autorizon sistemin e videovëzhgimit, rregullat e ruajtjes dhe aksesit, si dhe regjistri i gjobave;
- rezultatet e pyetësorit dhe të dhënat mbi materialet, formularët dhe zonat e mbuluara nga fushata informuese.
Nga materialet e shqyrtuara, Lezha mund të përshkruhet si një bashki që ka nisur një reformë të konsiderueshme të grumbullimit të mbetjeve, të bazuar në orare, qese dhe ndarje sipas kategorive, me objektiva të ekonomisë qarkulluese. Ajo që mbetet e paverifikuar është nëse secila rrymë vazhdon të mbahet e ndarë pas grumbullimit, ku përfundon, çfarë trajtimi merr dhe çfarë sasish shmangen realisht nga landfilli. Derisa këto të dhëna të jenë të gjurmueshme publikisht, nuk mund të përcaktohet ende nëse skema funksionon si një sistem i plotë dhe i matshëm i ekonomisë qarkulluese.
Artikulli i mësipërm mbështetet në provat, dokumentet dhe kufijtë tanë të verifikimit.
Burimet
- Formular vetëdeklarimi për bizneset, Bashkia Lezhë, Maj 2026. Kopja është në dosjen e HANA-s.
- Njoftim nga Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, faqja zyrtare në Facebook, 5 shkurt 2026.[LINK]
- "Pyetësor - Menaxhimi i Mbetjeve në Bashkinë e Lezhës (Familje dhe Biznese)," Google Form qarkulloi më 17 Mars 2026.[LINK]
- Intervista e kryebashkiakut Pjerin Ndreu, Klan News,[RTV Klan, 21 Maj 2026]. [LINKU].
- Procesverbal zyrtar i mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Lezhës, datë 30 qershor 2026.[LINKU].
- Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028 i Bashkisë Lezhë, tabela “Prioritetet e investimeve dhe burimet e financimit për vitet 2026–2028”: projekti “Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale për Rikuperimin e Mbetjeve të Riciklueshme”, me vlerë 49,976 mijë lekë dhe financim të planifikuar për vitin 2026. [LINK]
- Ligji Nr. 57/2025 "Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve", Gazeta Zyrtare e Republikës së Shqipërisë (qbz.gov.al). Dispozitat e cituara: përkufizimet e mbledhjes së diferencuar, riciklimit dhe ekonomisë rrethore [NENI 4]; kërkesat për planifikim dhe miratim vendor (Neni 65; detyrat komunale të mbledhjes dhe raportimit (Neni 24)
- Direktiva 2008/98/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit mbi mbetjet, siç është ndryshuar: Nenet 3(11), 3(17), 4 dhe 11a. Në dispozicion në eur-lex.europa.eu/eli/dir/2008/98/oj.
- Ligji Nr. 124/2024 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale", Gazeta Zyrtare (qbz.gov.al).
- Udhëzim i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbi përpunimin përmes sistemeve të mbikëqyrjes me video, 2025 [LINK] në dispozicion në idp.al.
- Këshilli Bashkiak Lezhë, Vendim Nr.83, datë 26.12.2017, miraton Planin Vendor të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2017-2021.[LINK]
- Raporti i monitorimit të Planit Vendor të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2017-2021 për Bashkinë Lezhë, përgatitur në kuadër të programit Bashki të Forta.
- HANA Centre, "Diferencimi i Mbetjeve në Burim: Manual Udhëzues i Praktikës së Diferencimit të Mbetjeve", Mars 2022, botuar me mbështetjen e Lëviz Albania. Në dispozicion në hanacentre.org.
- Përgjigja me shkrim e Elvis Ndrekës, specialist mjedisor (Co-PLAN / Bashki të Forta), ndaj pyetjeve të HANA-s, Data 08.07.2026, Në dosjen e HANA
- Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 319, datë 31 maj 2018 (metodologjia e kostos e referuar nga eksperti i konsultuar).
The project “Local Truth Lab: Youth Media Against Disinformation in Lezhë”, implemented by H.A.N.A Youth Centre, is supported through the broader programme “MedIA-Lit” led by the Centre for Civic Education (CCE/CGO) in partnership with the Helsinki Committee for Human Rights in Serbia (HCHRS), the Helsinki Committee for Human Rights in North Macedonia (MHC), the Tirana Centre for Journalism Excellence (TCJE) from Albania and the Atlantic Initiative (AI) from Bosnia and Herzegovina, ëith financial support from the European Union and co-financing from the Ministry of Regional-Investment Development and Cooperation with NGOs of the Government of Montenegro.


