Troshan, Lezhë - Rreziku nga kabinat e hapura, pa dyer mbrojtëse dhe jashtë standardeve të sigurisë
Nga: Reporterët e Rinj të "Local Truth Lab"

Troshan, Lezhë - Rreziku nga kabinat e hapura, pa dyer mbrojtëse dhe jashtë standardeve të sigurisë
Nga: Reporterët e Rinj të "Local Truth Lab"
Fokusuar në: Zadrimë, (Bashkia Lezhë), Siguria Elektrike dhe Infrastruktura
Data: 26 Qershor 2026
*Kabina elektrike që ndodhet pranë Shkollës “Troshan”, fotoja e datuar 25 Qershor 2026
Prej vitesh, banorët e njësisë administrative Zadrimë përballen çdo ditë me një problematikë serioze që kërcënon sigurinë e jetës së tyre, të fëmijëve dhe të kafshëve shtëpiake e bujqësore. Bëhet fjalë për kabinat elektrike të tensionit të lartë, të cilat qëndrojnë të paizoluara, të hapura dhe të ekspozuara plotësisht ndaj kujtdo që kalon pranë tyre.
Pjesëtarët e Redaksisë Rinore të Qendrës H.A.N.A kanë vizituar fshatin Troshan për të dokumentuar nga afër këtë situatë në terren. Vëzhgimet në terren tregojnë se të pakten dy nga kabinat elektrike të identifikuara në Troshan janë në gjendje të pasigurt: dyert mbrojtëse janë të dëmtuara ose të rrëzuara përtokë, duke lënë të hapur aksesin nga jashtë në hapësira ku ndodhen pajisje elektrike që mund të jenë nën tension.
“Afër lagjes sime ka kabina elektrike të hapura dhe të ekspozuara, të cilat janë burim rreziku për banorët, për fëmijët e vegjël dhe për cilindo që afrohet,” shprehet N.GJ., banor i zonës, duke vënë në dukje frikën e vazhdueshme të prindërve për fëmijët që luajnë pranë këtyre hapësirave.
“N’a shqetëson, nuk dëshirojmë të presim që të ndodhë një tragjedi, që më pas të bëhen ndërhyrjet e nevojitshme.”

*Plan i afërt i kabinës elektrike pranë shkollës “Troshan”
Çfarë kërkon kuadri ligjor për sigurinë teknike?
Rregullorja Teknike "Për kushtet teknike dhe garantimin e sigurisë së instalimeve elektrike të tensionit të lartë, mbi 1 kV", e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 483, datë 17.6.2020, përcakton rregulla të rrepta për izolimin fizik të impianteve.
Konkretisht, Kapitulli 5 (Pika 5.3) i kësaj rregulloreje kërkon që instalimet elektrike të jenë plotësisht të mbrojtura nga aksesi i jashtëm përmes barrierave apo dyerve të sigurta me kyç, me qëllim parandalimin e kontaktit direkt të qytetarëve me pjesët nën tension.
Po ashtu, Kodi i Rrjetit të Shpërndarjes ngarkon Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) me përgjegjësinë ligjore për të kryer inspektime periodike dhe mirëmbajtje mbrojtëse të rrjetit për të garantuar sigurinë publike.

*Kabina e cila OSHEE i referohet “Troshan 2 Kabina 2”
Përveç rrezikut të drejtpërdrejtë nga rryma elektrike, mungesa e izolimit krijon probleme të mëdha edhe gjatë përkeqësimit të motit. Duke qenë se kabinat nuk janë të mbrojtura nga agjentët atmosferikë, stina e dimrit shoqërohet me defekte të shpeshta dhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.
“Gjatë dimrit fiken dritat ngaqë është e ekspozuar kabina. Sezoni dimëror sjell shi të fortë në këtë zonë, dhe ne e dimë se kur ikin dritat nuk do të kthehen përsëri për disa orë, ose dhe disa ditë,” tregon më tej banori i zonës, duke përshkruar vështirësitë logjistike me të cilat përballen familjet në këtë zonë .
“Nuk është vetëm Troshani. Në të gjithë zonen e Zadrimes gjenden kabina elektrike në gjendje të tillë, por me konfidencë mund të flas vetëm për Troshanin.” përgjigjet banori N.GJ kur e pyetëm nëse situata është e njëjtë dhe në zona të tjera të Zadrimës.
"Jetoj përballë me një nga këto kabinat, kemi frikë për jetën. Fëmijët luajnë me top aty afër, nëse topi përfundon afër ose dhe brenda kabinës krijohet një rrezik fatal për to. Jemi ankuar për këtë problematike më përpara, por nuk është vepruar ndonjëherë." Dëshmon Stela Marku
Një tjetër element shqetësues në terren është prania e barishteve të thata rreth këtyre kabinave të hapura, çka shton rrezikun e shpërthimit të zjarreve gjatë temperaturave të larta.
Paqartësi e të dhënave publike dhe sfida me Gjeoportalin ASIG
Për të verifikuar vendndodhjen e kabinave të dokumentuara në terren, ekipi i “Local Truth Lab” kontrolloi të dhënat publike të disponueshme në Gjeoportalin ASIG, platformën e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Qëllimi ishte të krahasohej ajo që u dokumentua në terren me informacionin e pasqyruar në hartën digjitale të rrjetit elektrik.
Nga verifikimi ynë në portalin publik, këto kabina nuk rezultuan të dukshme për përdoruesin e zakonshëm. Nuk është e qartë nëse kjo lidhet me mungesë të dhënash, kufizim aksesi apo mënyrën e organizimit të platformës. Në versionin publik të Gjeoportalit ASIG të kontrolluar nga ekipi, navigimi rezultoi i vështirë dhe informacioni i disponueshëm për zonën ishte i kufizuar. Harta nuk ofronte ndarje të qarta për lokalitetet e kërkuara dhe identifikimi i kabinave në nivel fshati u bë i vështirë, pasi të dhënat shfaqeshin kryesisht në nivele më të përgjithshme administrative.

*Imazhi tregon ndarjet kufitare në hartë që lejon platforma ASIG
Për shkak të këtyre kufizimeve në orientim dhe në shfaqjen e të dhënave, verifikimi i kabinave në nivel fshati u bë i vështirë. Gjatë kërkimit në versionin publik të Gjeoportalit ASIG, ekipi nuk arriti të identifikonte kabinat e dokumentuara në terren në Troshan.
Në zonat përreth, disa kabina të shfaqura në hartë përmbanin vetëm të dhëna bazë mbi vendndodhjen, ndërsa mungonin informacione më të detajuara teknike që do të ndihmonin qytetarët, studiuesit apo gazetarët të kuptonin më qartë statusin dhe karakteristikat e këtyre impianteve.
Nuk është e qartë nëse kjo lidhet me mungesë të të dhënave në portalin publik, kufizime aksesi për përdoruesit e jashtëm, apo mënyrën se si është organizuar platforma.

*Imazhi tregon shembull të një kabine të përafërt me ato që përmenden në artikull; në të djathte të imazhit tregohen hapsirat boshe të cilat supozohet të mbajnë informacion të detajuar për kabinen elektrike.
Qëndrimi i OSHEE dhe gatishmëria për ndërhyrje
Për të përfshirë qëndrimin e institucionit përgjegjës, ekipi i “Local Truth Lab” kontaktoi OSHEE/OSSH dhe i përcolli gjetjet e dokumentuara në terren për gjendjen e kabinave elektrike në Troshan.
Në komunikimin me ekipin, përfaqësues të institucionit u shprehën se problematika do të ndiqet dhe se do të organizohet një inspektim në terren për të verifikuar gjendjen konkrete të kabinave dhe për të vlerësuar masat e nevojshme rregulluese.
Sa i përket të dhënave në Gjeoportalin ASIG, ku ekipi i reporterëve të H.A.N.A nuk arriti të identifikonte kabinat e dokumentuara në Troshan dhe ku disa kabina të zonave përreth shfaqeshin me informacion të paplotë, përfaqësuesit e institucionit thanë se rrjeti është i digjitalizuar nga ana e tyre. Sipas tyre, mungesa e dukshmërisë së disa të dhënave për publikun mund të lidhet me nivelet e ndryshme të aksesit në platformë:
“Mund të jetë çështje aksesi, pasi nga ana jonë janë digjitalizuar të gjitha informacionet. Megjithatë, disa informacione specifike mund të jenë të aksesueshme vetëm për personelin teknik.” Shprehet Pashke Gjoni, Specialiste pranë OSHEE Lezhë
Deri në ndërhyrjen konkrete, kabinat e hapura në Troshan mbeten një rrezik i dukshëm për banorët dhe një test për reagimin e institucioneve përgjegjëse.
The project “Local Truth Lab: Youth Media Against Disinformation in Lezhë”, implemented by H.A.N.A Youth Centre, is supported through the broader programme “MedIA-Lit” led by the Centre for Civic Education (CCE/CGO) in partnership with the Helsinki Committee for Human Rights in Serbia (HCHRS), the Helsinki Committee for Human Rights in North Macedonia (MHC), the Tirana Centre for Journalism Excellence (TCJE) from Albania and the Atlantic Initiative (AI) from Bosnia and Herzegovina, ëith financial support from the European Union and co-financing from the Ministry of Regional-Investment Development and Cooperation with NGOs of the Government of Montenegro.


